Kuvendi nuk do të mund të vendos më 18 tetor për ti kufizuar kompetencat presidentit. Komisioni i Posaçëm ka kërkuar më shumë kohë për përgatitjen e ligjit. Për këtë i është kërkuar ndihmë Ilir Rusmajlit dhe Viktor Gumit që do të japin ekspertizën e tyre mbi nenet që do të paraqiten për votim.
Deputetët Vasilika Hysi, Adnor Shameti dhe Alban Zeneli do të duhej që me 15 tetor të depozitonin në Kuvend draftin e ri për kreun e Shtetit, por me sa duket socialistët ende nuk kanë gjetur mënyrën se si t’i heqin përfundimisht të drejtën Ilir Metës për të mos cënuar kabinetin qeveritar.
Pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, mazhoranca ka kërkuar sërish ndihmën e ekspertëve Ilir Rusmajlit dhe Viktor Gumit për t’i kufizuar Metës disa prej kompetencave që ja jep ligji.
Deputetët i kanë kërkuar Rusmajlit, Gumit dhe Mërkurit që të sjellin një draft deri në fund të muajit që më pas dokumenti të hyjë në procedurat parlamentare sa më shpejt.
Në këtë ligj organik pritet të rregullohet statusi i Presidentit dhe familjarëve të tij, trajtimi pas përfundimit të mandatit si dhe çështjet e parregulluara të administratës të këtij institucioni.
Por ajo çfarë ka më rëndësi për socialistët ka të bëjë me mekanizmat zhbllokues në rast mosveprimi nga ana e kreut të shtetit për dekretimin e të zgjedhurve nga kuvendi, apo propozimeve të kryeministrit, siç ndodhi me rastin e Arta Vorpsit për Gjykatën Kushtetuese. Apo një tjetër çështje mjaft thelbësore për mazhorancën është t’i heqë të drejtën Presidentit për të ç’dekretuar datën e zgjedhjeve.
Por ajo që synon e majta qeverisëse me këtë ligj është ta zhveshë Ilir Metën nga çdo mundësi për të refuzuar ministrat, siç ka ndodhur me Sandër Lleshin apo Gent Cakaj.
Por përveç ligjit të ri organik pritet të ketë edhe një tjetër paketë me ligje që do duhet të ndryshojnë që kanë të bëjnë me institucionet e drejtësisë dhe Kodin Zgjedhor.
Comments