top of page
stopadmin

Stopfake.al-Majlinda Vreka: Para se të largohem nga bota, po t’i jap fjalët dhe lotët...


Para se të largohem nga bota, po t’i jap fjalët dhe lotët.


“Mos u zemëro!” – tha tri herë radhazi, ai që erdhi mëshirë për botët.


“Në botë jam si kalorësi që pushon nën hijen e nje druri pak,

pastaj e braktis atë dhe ikën shpejt me vrap”


Shumë perëndime të diellit në jetë të vetmuar do të të gjejnë.


Mos u pikëllo kur njerëzit të mirat me të keq do t’i kthejnë.


Në botë jetojnë shpirtra që kuptojnë por nuk ndjejnë.


Ata që të duan të vogël, kur je i madh të urrejnë.

Vetmia do zbresë në zemrën tënde, errësira do zbresë në sytë e tu.


Do jesh i braktisur nga njerëzit edhe pse njerëzit do jenë këtu.


Dikush do ta falë zemrën e vet por zemrën tënde ka për ta vrarë.


Nga ndarjet e kësaj bote s’ka mbetur shpirt pa qarë.


Edhe ti do të qash si fëmija që me vaj dëshiron t’i përmbush dëshirat.


Deri sa të kuptosh se bota s’është Zot që mund të t’i japë gjithë të mirat.

Mos u dëshpëro nëse njerëzit të bëjnë të ndjehesh vetëm në këtë jetë.


Mos harro se barku njerëzor bluan e tret gjëra më të forta se sa vetë,por kur mbetet fare bosh, veten nuk e bluan as s’e tret’.


Do të të plagosin mu në zemër ata që zemrën ua ke falë.


Por ti do forcohesh se s’ka dhimbje që rrugën tek Pafundësia ta ndal.


Nëse ata që ua tregove emrin, në emër të thërrasin.


Edhe ata që ua tregove plagën, në plagë do të të godasin.


Çdo plagë do të dëshmojë forcën tënde me të cilën ti do ngrihesh.


Jeto si thesar që edhe kur zbulohesh, çmohesh njësoj, si kur fshihesh!

Nëse te uji të çon etja e te ushqimi uria.

Mos harro se te vuajtjet të çojnë dëshira dhe dashuria.


Por ti do të durosh se vuajtjet s’jetojnë për jetë të jetëve.


Ata që duan mjaltin, durojnë pickimin e bletëve.


Atje ku të paditurit janë të lumtur, mençuria jote nuk do të vlejë.


Pasuria e një shpirti njerëzor matet me atë se sa mund të ndjejë.


Nëse mendja s’e arrin lartësinë e ndjenjave

Kot do flasësh, kot do thërrasësh në drejtim të zemrave.

Para se të largohem nga bota, po t’i jap fjalët që i mësova në botë.


Që fjalët të mos harrohen, po t’i perziej me lotë.


Në shkretëtirat e jetës ku nuk del ujë, kurrë mos gërmo.


Kur të përbuzin dhe dëbojnë, fal por kurrë mos harro.


Përgjigja jote ndaj të pamendëve le të jetë veç heshtja.


I mençuri në mesin e të pamendëve është i bukur dhe i trishtë si vjeshta.


Nga ngjyrat e mëshirës hyjnore në fytyrë do të të pikturohet buzëqeshja.


Do të dish të jetosh nëse mëson si të vdesësh

Të gjitha janë brenda teje, nga jashtë s’ke çfarë të presësh.



Tani më duhet të ik, mund të më përshëndesësh!

/Stopfake.al

44 views0 comments

Comments


bottom of page