top of page
stopadmin

Stopfake.al-Ylli Dylgjeri: Djajtë e VKM-së...


Sipas Rilindjes, të gjithë kanë çmim, të gjithë shiten.

Duket se me rastin e “tragjedisë Klodiani” çudia më e madhe nuk do të zgjasë tri ditë, por më shumë. Sepse Kryeministri ynë, që mos e paftë syri i keq, kujdeset për çdo ditë të na prodhojë absurditete.


Pasi piu 2 here kafen e mortit. Pasi mori një letër si indulgjencë nga babai i të ndjerit. Pasi shpërndau rilindasit e tij nëpër media me të njëjtin model siç shpërndahen buburrecat e shtëpisë kur ndez dritën, për të përhapur haberin se luftojnë kalamajtë pa lejen e prindërve, sot miratoi një VKM ku i vë çmim humbjes së jetës së të ndjerit.


Por, siç thotë edhe një fjalë “djalli fle tek hollësitë”, dhe kjo VKM është rrëng me djaj. Djalli i parë: VKM cakton llojin e veprës: “humbje jete aksidentalisht”. Djalli i dytë: VKM cakton shkaktarin e veprës dhe arsyen: “si pasojë e veprimeve policore”. Këto dy përcaktime-djaj të VKM-së, në fakt e kanë përkufizuar ngjarjen e ndodhur.


Ç’ndodh nëse humbja e jetës nga hetimet rezulton se nuk ka qenë aksidentalisht po qëllimisht? Ç’ndodh nëse gjykata e përcakton krejt ndryshe nga VKM ngjarjen?


Ç’ndodh nëse nga procesi hetimor rezulton që ngjarja nuk ka ardhur si pasojë e veprimeve të policisë? Përse gjithë ky nxitim për ta shpallur këtë VKM dhe për ta përcaktuar veprën, kur procesi hetimor sapo ka filluar? A mos do të thotë kjo që ky proces do të vijojë gjatë, me gjasë pa fund? Djalli i tretë: VKM cakton masën e shpërblimit mujor, tetëfish i pensionit social. Nuk e dimë si u vlerësua kështu shuma për taksën e gjakut.


A kompensohet mjaftueshëm apo tejkalohet e ardhura e munguar për familjen si pasojë e humbjes së jetës? Edhe këtu duket sikur Kryeministri ka nxituar të vendosë një çmim, për të blerë një tragjedi.


Djalli i katërt: VKM cakton kujt i paguhet trajtimi i veçantë financiar. Sipas VKM financimi mujor shkon tek kryefamiljari, duke e ditur fare mirë që i ndjeri mund të ketë trashëgimtarë të tjerë ligjorë në moshë madhore dhe para ligjit janë të gjithë përfitues. E caktojnë ata me prokurë se kujt i shkon pagesa.


Por edhe këtu siç duket rëndësi ka të mbyllet qarku për të krijuar idenë se kemi transaksion “shit-blerjeje”. Në emër të kryefamiljarit u publikua një letër ku bëhej thirrje për shuarjen e protestave për të ndjerin. Po në emër të këtij kryefamiljari dy ditë më pas caktohet financimi mujor. Për të arritur në djallin e pestë makabër: VKM cakton që trajtimi i veçantë fillon prej datës 1 dhjetor 2020, kur ngjarja ndodhi më 8 dhjetor 2020, dmth një javë më pas.


Pra djalli thotë se unë e blej tragjedinë përpara se ajo të ndodhë, sikur ta kisha planifikuar të ndodhte.


Në këtë mënyrë pushteti djallëzor rilindas kërkon të përçojë tek të gjithë bindjen se gjithkush ka çmim, askush nuk mbetet pa u blerë, madje edhe gjaku. E në këtë pikë, për gabimet e tekat e pushtetit shpërdorohen paratë e publikut.


Për fajtorë që kanë fytyrë e emër përdoren paratë e mbledhura nga taksat që u ngarkohen të gjithëve, edhe atyre që sot protestojnë jo për të shitur gjakun e Klodianit, por për të kërkuar drejtësi për Klodianin.


/Stopfake.al

11 views0 comments

Comments


bottom of page